Tregtarët e Vlorës kanë protestuar sërish sot para Teatrit “Petro Marko”, duke kundërshtuar vendimin e miratuar nga Këshilli Bashkiak për zhvendosjen e tyre nga zonat aktuale të tregtimit.
Sipas këtij vendimi, tregtarët e fruta-perimeve do të zhvendosen në tregun e Çoles, ndërsa tregtarët industrialë në tregun e Shumicës në Jalli të Nartës.
Protestuesit kanë deklaruar se vendimi është marrë pa konsultim real me ta dhe pa garanci për kushtet minimale të punës. Ata theksojnë se zhvendosja në zona të largëta nga qendra e qytetit i largon nga klientët dhe rrezikon mbijetesën ekonomike të familjeve të tyre.
“Vendimet po merren nga zyra, pa u pyetur ata që preken drejtpërdrejt. Ne nuk jemi kundër rregullit, por kundër një vendimi që na shkatërron punën”, kanë thënë tregtarët.
Përditësime
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një vizitë në Vlorë sot, në lidhje me protestën e tregtarëve.
Tregtarët ngritën akuza të reja:
- Tregu po merret për ndërtim pallatesh.
- Kryetarja e Bashkisë së Vlorës po i tall me ta.
Ata kërkojnë shtyrjen e zhvendosjes dhe pjesëmarrje aktive në vendimmarrje.