Elisa Spiropali, ministre e Jashtme, u takua sot me tregtarët e Vlorës, të cilët protestojnë prej ditësh kundër vendimit të bashkisë për zhvendosjen e tyre nga zona e Tregut Industrial, për të hapur rrugë për rindërtimin e tij.
Gjatë takimit, Spiropali pranoi se nuk kishte qenë në dijeni të plotë të situatës dhe premtoi se do të bisedojë me kryetaren e bashkisë dhe me anëtarët e Këshillit Bashkiak për të kuptuar më nga afër problematikën e tregtarëve. “Do të flas me kryetaren dhe me anëtarët e këshillit bashkiak që të njihem më konkretisht me problemin tuaj”, u shpreh ajo.
Një prej tregtarëve tha: “Kemi 30 vjet që punojmë, me taksa me të gjitha. Sot, ne hidhemi në rrugë, jemi me ilaçe, jemi të sëmurë. Nuk na la policia në Këshillin Bashkiak”.
Tregtarët nuk janë dakord me propozimin e bashkisë për dy tregje të përkohshme: tregun e fruta-perimeve në lagjen 24 Maji dhe tregtimin e mallrave të tjera në zonën industriale të Çolës. Ata kërkojnë zhvendosje në zona më pranë qytetit për të ruajtur klientelën dhe për të shmangur rrezikun e falimentimit.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa tregtarët paralajmërojnë protesta të mëtejshme deri në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të gjitha palët.
Përditësime
Protestuesit zhvendosën demonstratën para Teatrit “Petro Marko” në Vlorë, ku po mbahej një aktivitet me pjesëmarrjen e ministres Blendi Spiropali. Ajo ndaloi gjatë mbërritjes për të komunikuar drejtpërdrejt me tregtarët protestantë kundër zhvendosjes së tregut.