Donald Trump, presidenti i Shteteve të Bashkuara, të shtunën më 7 mars 2026 mirëpriti liderë nga vende të Amerikës Latine në samitin “Shield of the Americas” (Mburoja e Amerikave) në Florida. Në këtë rast nënshkroi një marrëveshje për të luftuar aktivitetin kriminal të karteleve në Hemisferën Perëndimore.
Trump deklaroi se samiti synon bashkimin e aleatëve për të promovuar lirinë, sigurinë dhe prosperitetin, duke ndalur narko-terroristët dhe kartelet e trafikut të drogës. “Në këtë ditë historike, ne bashkohemi për të shpallur një koalicion të ri ushtarak për të çrrënjosur kartelet kriminale që po dëmtojnë rajonin tonë”, tha ai.
Ai e quajti këtë partneritet Koalicioni i Amerikave Kundër Karteleve. “Zemra e marrëveshjes sonë është angazhimi për përdorimin e forcës ushtarake vdekjeprurëse për të shkatërruar kartelet ogurzeza dhe rrjetet terroriste njëherë e përgjithmonë. Do t’i heqim qafe”, shtoi Trump.
Presidenti amerikan inkurajoi liderët pjesëmarrës të ndërmarrin veprime ushtarake kundër karteleve dhe bandave, të cilat sipas tij paraqesin një kërcënim të papranueshëm për sigurinë kombëtare të hemisferës. “E vetmja mënyrë për t’i mposhtur këta armiq është duke çliruar fuqinë e ushtrive tona. Ne duhet të përdorim ushtrinë tonë. Ju duhet të përdorni ushtrinë tuaj”, deklaroi ai.
Trump përmendi koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të kundër Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme si shembull, duke thënë se tani duhet bërë e njëjta për të çrrënjosur kartelet në rajon.
Pjesëmarrësit
• Argjentina
• Bolivia
• Kili
• Kosta Rika
• Republika Dominikane
• Ekuadori
• El Salvadori
• Guajana
• Hondurasi
• Panama
• Paraguai
• Trinidad dhe Tobago