Emisioni Vetting ka evidentuar një shkelje në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT). Më 23 korrik 2025, në mbledhjen e radhës për miratimin e lejeve të kullave dhe resorteve, KKT miratoi lejen për objektin “Godinë banimi, shërbimi dhe hotel 3, 8, 10, 12 dhe 15 kate mbi tokë, me 2 kate parkim nëntokë”, të vendosur në Qerret. Subjekti zhvillues është kompania 2D Construction 2025, e krijuar nga ish-drejtoresha e Tatimeve Erilinda Lala, pas së cilës dyshohet se qëndron bashkëshorti Taulant Godroli.
Dokumentet e siguruara tregojnë se leja u dha para se të përcaktohej natyra e tokës si tokë për zhvillim dhe ndërtim. Sipas procedurës ligjore, toka publike duhej të miratohej fillimisht nga Këshilli Bashkiak i Bashkisë Kavajë. Procedurat nuk i kanë ndjekur ligjin, duke anashkaluar miratimin bashkiak.
Kompanja 2D Construction 2025 paraqiti kërkesë për zhvillimin e projektit turistik në Qerret. Bashkia Kavajë përgatiti një projektvendim për Këshillin Bashkiak, ku shprehu “dhënien e pëlqimit në parim” për përdorimin e tokës publike nga investitori.
Vetting i bëri kërkesë informacioni Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) për këtë vendim, i marrë më shumë se 6 muaj më parë. AZHT refuzoi zbardhjen, pavarësisht detyrimit ligjor për transparencë. Redaksia ka paraqitur ankesë, e cila është regjistruar pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi.