Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nënshkroi më 30 tetor vendimin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik, ku janë në dispozicion 313 vende. Sipas njoftimit të tij, ky është konkursi i katërt për specializim i hapur në më pak se katër vjet.
Përparësi në konkurs u është dhënë fushave deficitare dhe nevojave të institucioneve shëndetësore rajonale. Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë do të financojë edhe 20 vende për specializim në Mjekësi Familjare.
Procesi i vlerësimit do të zhvillohet përmes një sistemi digjital. Kandidatët do t’i plotësojnë të dhënat në mënyrë elektronike, ndërsa sistemi do t’i përllogarisë pikët sipas kritereve të përcaktuara në konkurs. Pas verifikimit nga Bordi, secili kandidat do të ketë mundësi të shohë pikët e veta.
Vitia njoftoi gjithashtu se së shpejti do të shpallet një konkurs tjetër për shkollim specialistik, i cili do t’u përgjigjet nevojave të institucioneve shëndetësore private. Në deklaratën e tij, ai tha: “Më shumë mundësi për mjekët tanë, më shumë transparencë në proces”.