Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin gjerman, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri. Viktima, i cili është identifikuar nga raportimet e mediave si M.M., ishte me origjinë nga fshati Radushë i Maqedonisë së Veriut.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia dhe Prokuroria e Berlinit, ngjarja është regjistruar në lagjen Neukölln, konkretisht në kryqëzimin e rrugëve Planetenstraße dhe Sonnenallee, në afërsi të zonës së gjelbër Köllnische Heide. Zëdhënësi i policisë, Florian Nath, bëri të ditur se forcat e rendit u alarmuan rreth orës 02:30 pas dëshmive për krisma armësh. Patrullat që mbërritën në vendngjarje gjetën 27-vjeçarin të plagosur rëndë në trotuar. Pavarësisht përpjekjeve të shpejta për reanimim nga efektivët dhe një mjeku të urgjencës, viktima nuk mundi të mbijetonte.
Autoritetet gjermane kanë konfirmuar se ndaj të riut janë shkrepur disa të shtëna, ndërsa personi ose personat e dyshuar janë larguar menjëherë nga vendi i krimit. Deri në këto momente, nuk është njoftuar për asnjë arrestim, ndërsa motivet e këtij atentati mbeten ende të paqarta. Puna hetimore, e udhëhequr nga Prokuroria e Berlinit, po vijon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët.
Ndërsa mediat gjermane si Berliner Morgenpost kanë konfirmuar shtetësinë e viktimës si shtetas i Maqedonisë së Veriut, autoritetet zyrtare gjermane nuk e kanë bërë publik emrin e plotë të të ndjerit, duke e mbajtur atë në konfidencialitet deri në përfundim të hetimeve.