Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në bashkinë Maliq, ku gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shumëkërkuar në malin Boden, ka humbur jetën inspektori i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, 34 vjeç. Nga përleshja mbeti i plagosur edhe efektivi Edison Adri, i cili ndodhet nën kujdesin mjekësor.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, reagoi menjëherë pas ngjarjes duke e cilësuar këtë si një sulm ndaj rendit dhe ligjit. Ai shprehu ngushëllimet për familjen Mekolli, kolegët dhe të afërmit e efektivit, duke e vlerësuar sakrificën e tij në përmbushje të misionit fisnik.
Në deklaratën e tij, Lamallari theksoi se institucionet do të angazhohen maksimalisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe se autori i krimit nuk do të ketë asnjë mundësi t'i shpëtojë drejtësisë.
"Sakrifica e Enea Mekollit do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje. Efektivit të plagosur, Edison Adri, i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më parë pranë familjes dhe kolegëve të tij," deklaroi ministri, duke shtuar se Policia e Shtetit do të vijojë me vendosmëri misionin në mbrojtje të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.