Emisioni Në Shënjestër në News24, me autore Klodiana Lala, ka publikuar për herë të parë emrin e personit të zhdukur më 19 Janar 2015. Eshtrat e tij u gjetën në fund të vitit 2015 në malet e Librazhdit, konkretisht në fshatin Babje.
Analiza e ADN-së, e kryer nga mostra kockore të marra gjatë zhvarrosjes më 2 Nëntor 2022, konfirmon se eshtrat i përkasin Enton Janushit, i njohur edhe si Taulant Janushi ose Taulant Maze. Profili gjenetik përputhet me atë të babait Namik Janushi dhe të nënës S. Janushi, sipas përfundimit zyrtar.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, shkaku i vrasjes është thyerja e kafkës.
Enton Janushi ishte 28 vjeç kur humbi gjurmët mesditën e 19 Janarit 2015. U pa për herë të fundit pranë Liqenit të Thatë në zonën e Kopshtit Zoologjik në Tiranë. Personat e fundit që u takuan me të ishin prindërit, me të cilët u nda pak para zhdukjes.
Që nga ajo datë, askush nuk kishte informacion për fatin e tij derisa identifikimi i fundit hoqi dyshimet.