Gjatë orëve të mesditës së sotme, një vatër e fuqishme zjarri ka shpërthyer në fshatin Hekal të rrethit të Mallakastrës, konkretisht në zonën e njohur si “Qafa e Vidhit”. Era e fortë ka favorizuar përhapjen me shpejtësi të flakëve, të cilat kanë shkrumbuar një sipërfaqe prej më shumë se 10 hektarë, të mbuluar kryesisht me ullishte dhe bimësi të ulët.
Sapo është dhënë njoftimi për incidentin, autoritetet kanë ndërhyrë për vendosjen e situatës nën kontroll. Në terren janë dislokuar 6 mjete zjarrfikëse nga njësitë e Ballshit, Patosit, Roskovecit dhe kompanisë Albpetrol, të cilat punuan për rrethimin dhe neutralizimin e plotë të vatrës së zjarrit.
Fronti i zjarrit arriti deri në një distancë prej rreth 100 metrash nga zonat e banuara dhe instalimet e industrisë hidrokarbure në atë sektor. Megjithatë, falë reagimit të shpejtë të forcave të emergjencës, flakët nuk kanë prekur banesat apo puset e naftës, duke shmangur kështu dëme më të rënda materiale. Autoritetet vendore vazhdojnë monitorimin e terrenit për të parandaluar çdo mundësi të një riaktivizimi të vatrave në orët në vijim.
Përditësime
Agjencia për Media dhe Informim (MIA) njoftoi shuarjen përfundimtare të vatrës së zjarrit në Hekal, e cila u aktivizua më 3 gusht. Operacioni i neutralizimit u zhvillua nën koordinimin e Prefekturës së Fierit.