Një zjarr i vogël ka shpërthyer mbrëmjen e së dielës në një banesë në Prishtinë, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve përkatëse. Ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve kanë mbërritur në vendngjarje pak kohë pas marrjes së njoftimit dhe kanë arritur të vënë situatën nën kontroll.
Zëvendëskomandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar për mediat se zjarri ishte fillestar dhe kishte burimin te një kondicioner. “Ka qenë një zjarr fillestar në një kondicioner. Sapo jemi informuar, ekipet tona kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë intervenuar”, është shprehur Shkodra.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të zjarrfikësve, është parandaluar përhapja e flakëve në hapësira të tjera të banesës, duke shmangur kështu dëme më të mëdha materiale. Shkodra ka bërë të ditur gjithashtu se nga ky incident nuk ka pasur persona të lënduar.
Përditësime
Ekipet e shpëtimit kanë lokalizuar zjarrin në një banesë në katin e gjashtë të një objekti në lagjen Aktash të Prishtinës. Zjarrfikësit po ndërhyjnë për të izoluar flakët, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një kondicioner.