Një zjarr ka rënë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në një shtëpi në Prishtinë, ku flakët kanë përfshirë tri vetura dhe hapësirën e garazhit. Ngjarja është raportuar rreth orës 01:00 dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, bëri të ditur se autoritetet kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të incidentit.
Komandanti i Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi, ka sqaruar se reagimi i ekipeve të shpëtimit ka qenë i shpejtë, duke mundësuar lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit përpara se ai të përhapej më tej. Pavarësisht situatës, nuk janë raportuar të lënduar në njerëz. Pronari dhe familjarët e banesës, ku ndodhi ngjarja, nuk kanë pranuar të prononcohen për mediat në lidhje me këtë rast.