Gjatë mesditës së së dielës, dy vatra të ndryshme zjarri janë raportuar në zona të ndryshme të vendit, të favorizuara nga era e fortë dhe terreni i vështirë. Në zonën e Çërrilës në Mallakastër, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore me pisha, ullinj dhe shkurre. Forcat zjarrfikëse të Mallakastrës, efektivë të Policisë dhe banorë të zonës janë angazhuar në përpjekjet për izolimin e flakëve. Sipas autoriteteve, zjarri ndodhet larg zonave të banuara dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për shtëpitë.
Ndërkohë, një vatër tjetër zjarri është raportuar në fshatin Borje të Shishtavecit në Kukës. Flakët kanë përfshirë një terren me dëllinja. Ndryshe nga situata në Mallakastër, në këtë zonë po punohet me urgjencë për të penguar afrimin e flakëve pranë banesave. Zjarrfikësja e Kukësit është nisur drejt vendngjarjes për të mbështetur banorët vendas në operacionin e shuarjes. Deri në këto momente, nuk janë raportuar dëme materiale në asnjërën prej dy zonave të përfshira nga zjarri, ndërsa shkaqet e rënies së tyre mbeten ende të paqarta.
Përditësime
Autoritetet vendore njoftuan se zjarri në Çërrilë të Mallakastrës është vënë tashmë nën kontroll. Ekipet operacionale po e mbajnë zonën nën monitorim të vazhdueshëm, për shkak të rrezikut të lartë të riaktivizimit të flakëve si pasojë e erës së fortë.