Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka nisur auditimin e performancës me titull “Furnizimi me barna nga Ministria e Shëndetësisë”, në kuadër të Planit Vjetor të Auditimit 2025/2026. Ky auditim mbulon periudhën 2022–2024 dhe synon të vlerësojë efikasitetin e proceseve në sektorin shëndetësor.
Subjektet e auditimit janë Ministria e Shëndetësisë si dhe komunat e Lipjanit, Gjilanit, Rahovecit, Mitrovicës së Jugut dhe Ferizajt. Në fokus janë proceset e planifikimit, kontraktimit, shpërndarjes dhe menaxhimit të barnave.
Auditimi do të shqyrtojë nëse Ministria e Shëndetësisë ka vepruar në mënyrë ekonomike dhe efikase në furnizimin dhe shpërndarjen e barnave për kujdesin shëndetësor parësor si dhe për sëmundjet e rralla. Synimi kryesor është rritja e efikasitetit dhe përmirësimi i shërbimeve shëndetësore.
Sipas njoftimit të ZKA-së, bazuar në raportime mediatike, pavarësisht buxhetit të konsiderueshëm të ndarë nga Qeveria për furnizim me barna, vazhdojnë të regjistrohen mungesa të theksuara. Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë përmbush vetëm 35–40% të nevojave reale për disa barna, duke detyruar komunat dhe qytetarët të sigurojnë ato vetë.