Administrata Tatimore ka ushtruar kontrolle në agjencitë imobiliare më të mëdha të vendit, në kuadër të planit operacional për sektorin e ndërtimit.
Kontrollet u fokusuan në 9 subjekte që operojnë si agjenci imobiliare. Verifikimet përfshinin deklarimin e pagave reale, regjistrimin e punonjësve, fiskalizimin e shitjeve dhe respektimin e detyrimeve ligjore.
Rezultatet evidentuan shkelje të rënda, si punonjës të padeklaruar, paga jo reale, mungesë transparence në çmime, moslëshim faturash tatimore dhe evazion tatimor në shitjen e apartamenteve. Si pjesë e hetimit të thelluar, u sekuestruan njësi kompjuterike, nga të cilat rezulton dyshim për evazion tatimor lidhur me çmimet e shitjes së apartamenteve.
Administrata Tatimore deklaron zero tolerancë ndaj informalitetit në ndërtim. Aksioni nuk është i përkohshëm dhe do të vijojë ndaj subjekteve me rrezik për nëndeklarim pagash.
Tatimpaguesit në sektorin e ndërtimit ftohen të deklarojnë menjëherë pagat reale për të shmangur masat administrative dhe penale.
Përditësime
Administrata Tatimore nisi kontrollet më 15 janar, rreth 30 ditë pas publikimit të listës së pagave indikative për sektorin e ndërtimit.
Subjektet me rrezik për nëndeklarim pagash u njoftuan paraprakisht nga e njëjta.
Kontrollet zhvillohen në bashkëpunim midis Drejtorisë së Hetimit Tatimor dhe Drejtorisë së Verifikimit dhe Koordinimit në Terren.
Ato përfshijnë intervista dhe vetëdeklarime të punonjësve.
Autoritetet sekuestruan njësi kompjuterike për dokumentimin e shkeljeve dhe referimin në organet e drejtësisë.