Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 6 personave për pjesëmarrje në grup kriminal të organizuar. Të pandehurit, të identifikuar me inicialet A.H., L.D., M.D., Q.E., A.G. dhe F.O., akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, duke përfshirë:
• Veprime përgatitore për vrasje të rëndë;
• Detyrim;
• Zjarrvënie;
• Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm;
• Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas aktakuzës, veprimtaria e grupit është zhvilluar në qytetin e Pejës gjatë periudhës korrik 2024 – janar 2025. Grupi dyshohet se ka planifikuar vrasjen e një personi, si dhe plagosjen ose vrasjen e dy personave të tjerë, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm pasuror. Gjithashtu, të akuzuarit raportohet se kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm, kanë kryer zjarrvënie në pronën e një të dëmtuari, si dhe kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj personave të ndryshëm për të njëjtat motive.
Organi i akuzës i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë zhvillimin e gjykimit në mungesë për të pandehurin A.H., i cili aktualisht ndodhet në arrati. Njëkohësisht, Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për të pandehurit M.D. dhe L.D., si dhe konfiskimin e armëve dhe municionit që janë sekuestruar gjatë procesit hetimor.