Ambasada e Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe ka njoftuar qytetarët e Kosovës dhe vizitorët turistikë të bllokuar se autoritetet e Emirateve kanë vendosur zgjatjen e qëndrimit në hotele.
Kjo masë zbatohet për ata që kanë arritur datën e check-out-it, por nuk mund të udhëtojnë për arsye jashtë kontrollit të tyre.
Sipas njoftimit, qëndrimi zgjatet deri kur largimi nga vendi të bëhet i mundur. Shpenzimet mbulohen nga data kur udhëtimi u bë i pamundur deri në datën e largimit efektiv.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve të komunikojnë me menaxhmentin e hotelit ku janë akomoduar. Për çdo paqartësi shtesë, ata mund të kontaktojnë përfaqësinë diplomatike.
Ambasada e Republikës së Kosovës mbetet në dispozicion për çdo informacion dhe asistencë të nevojshme. Disa burime lidhin bllokimin me sulme nga Irani, ndërsa të tjera e quajnë thjesht arsye jashtë kontrollit.