Ish-shefi i Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari, është liruar nga qelia pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Gjyqtarja Natasha Mulaj ka pranuar kërkesën e avokatit mbrojtës, Sokol Tahiraj, duke zëvendësuar masën e sigurisë "arrest me burg" me atë të "detyrimit për paraqitje".
Gëzim Bashllari u ndalua fillimisht nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në muajin maj të vitit 2026, nën dyshimet për shpërdorim detyre. Hetimet janë fokusuar te lejimi i ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare të Sarandës dhe Ksamilit, ku përfshihet edhe rasti i një beach-bari të quajtur "Copacabana", i cili u shemb nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) më 18 maj 2026.
Sipas të dhënave hetimore, arrestimi i tij u bë në kuadër të një operacioni ku u përfshinë edhe inspektorë të tjerë të policisë. Gjykata e Sarandës kishte caktuar në 19 maj masën "arrest në burg" për Gëzim Bashllarin dhe Robert Cullajn, ndërsa për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron u vendos masa "arrest në shtëpi". Për të njëjtën çështje është pezulluar nga detyra edhe shefi i Krimeve në Sarandë, Blerim Tafçiu.
Hetimet për dokumentimin e përgjegjësive të personave të përfshirë në këtë çështje vijojnë, ndërsa Bashllari do t'i nënshtrohet masës së detyrimit për t'u paraqitur periodikisht pranë autoriteteve gjyqësore.