Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi se i burgosuri me inicialet F.M. u arratis rreth orës 03:10 të 27 shkurtit 2026 nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
I dënuari trajtohej në repartin e Onkologjisë, kati i dytë, dhoma nr. 2, së bashku me pacientë të tjerë. Ai ishte hospitalizuar më 16 shkurt 2026 nga Qendra Korrektuese e Dubravës.
Sipas të dhënave zyrtare, F.M. dënohej për veprën penale vjedhje e rëndë. Ishte arrestuar më 24 tetor 2025 dhe vuante dënim burgimi prej 4 vitesh, me lirimin e paraparë më 8 qershor 2029. Burime të IndeksOnline e identifikojnë si Florim Morina, 45-vjeçar.
Menjëherë pas arratisjes, Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi Policinë e Kosovës. Është themeluar një komision i brendshëm hetimor administrativ për të shqyrtuar rrethanat e ngjarjes dhe dyshimet për shkelje nga zyrtarët përgjegjës për sigurinë e të burgosurit.
Si masë e menjëhershme, komisioni disiplinor pezulloi nga puna dy zyrtarë korrektues deri në përfundim të procedurave hetimore. Pas raportit të komisionit, Shërbimi Korrektues do të marrë masa përkatëse sipas gjetjeve dhe rekomandimeve.