Policia e Tiranës finalizoi operacionin e koduar “Foleja 5”, duke vënë në pranga dy shtetase nga Kazakistani, M. A., 34 vjeçe, dhe A. A., 37 vjeçe. Ato ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira në rrugën “Don Bosko”, sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, organizuan operacionin bazuar në informacione për këtë veprimtari të paligjshme. Nisi procedimi penal ndaj dy shtetasve të tjerë, të cilët dyshohen si përfitues nga prostitucioni.
Gjatë kontrollit në apartament u sekuestruan një shumë parash e dyshuar si përfitim nga kjo veprimtari dhe 4 celularë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
Një rast i ngjashëm u zbulua dy ditë më parë në rrugën “Çamëria”, ku u arrestuan dy shtetase të tjera kazake, 19 dhe 25 vjeçe, ndërsa një person tjetër po hetohet.