Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar Network, duke zbuluar tre apartamente me qira ku ushtrohej prostitucioni, në rrugët Ibrahim Rugova, Hoxha Tahsim dhe Myslym Shyri.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan:
- shtetaset kolumbiane M. L., 21 vjeçe, V. Y., 25 vjeçe dhe L. D., 35 vjeçe, të cilat dyshohen se ushtronin prostitucion në apartamentin e rrugës Ibrahim Rugova;
- shtetasi spanjoll J. D., 26 vjeç, i dyshuar për shfrytëzimin e këtyre shtetaseve për këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Tiranës, ku nisi procedimi penal ndaj shtetaseve shqiptare V. O., 34 vjeçe dhe S. Sh., 24 vjeçe. Ato dyshohen se ushtronin prostitucion në apartamentet e rrugëve Hoxha Tahsim dhe Myslym Shyri.
Gjatë operacionit u sekuestruan shuma parash të dyshuara si të përfituara nga prostitucioni, si dhe disa aparate celularë.
Nën drejtimin e Prokurorisë, policia vazhdon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këto raste.