Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në Policinë e Tiranës finalizuan me sukses operacionin e koduar “Last meeting”, pas një monitorimi të kujdesshëm të hapësirës digjitale. Hetimet zbuluan se aktiviteti i prostitucionit ushtrohej në tre apartamente të ndodhura në rrugët “Qemal Stafa”, “Him Kolli” dhe “Tomor Malasi”, ndërsa shërbimet reklamoheshin në rrjetet sociale.
Në pranga kanë rënë pesë shtetase të huaja, konkretisht:
• V. P., 40 vjeçe
• P. K., 42 vjeçe
• P. M., 33 vjeçe
• L. Y., 42 vjeçe
• X. H., 42 vjeçe
Sipas njoftimit zyrtar, tre prej të arrestuarave janë me shtetësi vietnameze, ndërsa dy të tjerat janë me shtetësi kineze. Policia ka shpallur në kërkim shtetasin vietnamez T. T., 35 vjeç, i cili dyshohet se siguronte kushtet për ushtrimin e kësaj veprimtarie nga tre shtetaset vietnameze, duke përfituar nga kjo situatë. Po ashtu, autoritetet kanë vënë nën hetim edhe 2 shtetas të tjerë si përfitues nga kjo veprimtari.
Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 5 telefona celularë, të cilët shërbenin për postimet dhe komunikimet lidhur me këtë aktivitet të paligjshëm. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna operative për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.