Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Burimi”, i cili kishte për qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. L., 41 vjeç, banues në fshatin Cfir.
Sipas njoftimit zyrtar, 41-vjeçari dyshohet se ka kultivuar 80 bimë të llojit Cannabis Sativa. Bimët ishin mbjellë në një sipërfaqe toke që është në pronësi të shtetit, e cila ndodhet në afërsi të tokës që i përket vetë shtetasit të arrestuar. Policia ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka asgjësuar pjesën më të madhe të bimëve narkotike nëpërmjet djegies, ndërsa një sasi e vogël është sekuestruar në cilësinë e provës materiale për procesin hetimor.
Materialet procedurale në lidhje me këtë rast i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për veprime të mëtejshme. Autoritetet bënë me dije se kontrollet në terren për zbulimin e veprimtarive të tilla kriminale, si në ambiente të hapura ashtu edhe në ato të mbyllura, do të vazhdojnë në të gjithë territorin.