Një ngjarje e rëndë ka tronditur klubin amator gjerman TuS 1912 Rockenberg. Një futbollist 35-vjeçar, i identifikuar si Marius W., është vënë në pranga më 1 shtator 2026, nën dyshimin se ka helmuar për vdekje bashkëlojtarin e tij gjatë një udhëtimi të skuadrës në Dresden, në mesin e qershorit të vitit 2025. Viktima, Philipp L., 30 vjeç, filloi të ndjente probleme shëndetësore gjatë udhëtimit dhe ndërroi jetë në spital më 16 qershor 2025, pak kohë pas kthimit në shtëpi.
Fillimisht, familjarët dhe bashkëlojtarët dyshuan se vdekja ishte shkaktuar nga helmimi ushqimor pas konsumimit të peshkut gjatë udhëtimit. Megjithatë, autopsia dhe analizat toksikologjike të kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Giessen zbuluan se vdekja erdhi si pasojë e një insuficience multiorganike septike për shkak të helmimit. Prokurori i Përgjithshëm, Thomas Hauburger, deklaroi se provat e deritanishme çojnë drejt një akti hakmarrjeje.
Sipas dëshmive të qarkulluara në zonën e Rockenbergut, dy futbollistët kishin pasur një konflikt të vazhdueshëm për shkak të një gruaje. I dyshuari, i cili punonte në bashkinë e Niddatalit, ndodhet në paraburgim dhe nuk ka dhënë deklarata publike lidhur me akuzat. Autoritetet gjermane kanë sekuestruar pajisje elektronike dhe po vazhdojnë hetimet mbi mënyrën e saktë të përdorimit të lëndës helmuese. Philipp L., i cili kishte planifikuar dasmën e tij, u kujtua nga klubi si një lojtar me vlera të larta njerëzore.