Operacioni policor i koduar “Stafeta” u finalizua nga Seksioni i Hetimit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë. Në pranga u vu shtetasi Petrit Spaho, 66 vjeç, banues në Tiranë, i cili akuzohet për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.
Sipas hetimeve, i arrestuari kishte strehuar në hotelin e tij në Vaqarr shtatë emigrantë nga Sudani. Më pas, ai u kishte siguruar mjete transporti për t'i dërguar drejt Koplikut, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit për të shkuar drejt shteteve të Bashkimit Europian.
Pas ndjekjes nga shërbimet e Policisë Kufitare Tiranë dhe bashkëpunimit me Policinë Kufitare Shkodër, të dyja automjetet u ndaluan. Shtatë emigrantët sudanezë janë proceduar në gjendje të lirë për akuzën e “Kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror”. Gjithashtu, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin P. Gj., i cili ishte taksisti që po transportonte emigrantët.
Si prova materiale, policia ka sekuestruar:
• Dy armë gjahu (njëra pa leje)
• Fishekë për armë gjahu
• 7 telefona celularë
• Dy automjete taksi
• Librin e regjistrimit të klientëve të hotelit.
Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme. Çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.