Institucioni i Avokatit të Popullit ka njoftuar se po monitoron nga afër zhvillimet e protestës së zhvilluar sot në Tiranë. Përmes ekipeve të dedikuara, institucioni po ndjek situatën në terren, në institucionet shëndetësore dhe në komisariatet e policisë.
Në spitale, ekipet e Avokatit të Popullit po verifikojnë gjendjen e të lënduarve, qofshin ata qytetarë apo efektivë të policisë, duke garantuar të drejtën e secilit për ndihmë të plotë mjekësore.
Njëkohësisht, në komisariate, institucioni po mbikëqyr respektimin e garancive ligjore për personat e shoqëruar dhe të ndaluar, duke u fokusuar në:
• Respektimin e afateve ligjore për mbajtjen e personave;
• Garantimin e aksesit për mbrojtje ligjore përmes avokatit;
• Njoftimin e familjarëve të të ndaluarve;
• Monitorimin e kushteve të qëndrimit në ambientet e paraburgimit.
Sipas njoftimit zyrtar, po dokumentohen dëshmitë mbi rrethanat e lëndimeve, përfshirë shqyrtimin e pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës. Institucioni ka theksuar se e drejta për protestë paqësore, e drejta për shëndet dhe garancitë e lirisë personale mbeten obligime që duhet të respektohen në çdo rrethanë.