Blerja e banesave në Shqipëri me kredi bankare është bërë më e vështirë në vitin 2026. Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2025, bankat kanë rritur kërkesat për kolateral dhe kanë shtrënguar standardet e kreditimit për pasuritë e paluajtshme.
Raporti thekson se kufizimet uniforme të vendosura në korrik 2025 mbi raportin e kredisë ndaj vlerës së pronës dhe raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave kanë ndikuar në këtë drejtim. Bankat kanë raportuar se këto masa kanë vepruar si faktorë shtrëngues.
Kufizimet për kredi në lekë
• Për banesën e parë: bankat mund të financojnë deri në 85% të vlerës së pronës, ndërsa kësti mujor nuk tejkalon 40% të të ardhurave të kredimarrësit.
• Për banesën e dytë dhe në vijim: financim deri në 80% të vlerës dhe kësti deri në 35% të të ardhurave.
Kufizimet për kredi në valutë
• Për banesën e parë: financim deri në 75% të vlerës së pronës dhe kësti deri në 35% të të ardhurave.
• Për banesën e dytë dhe në vijim: financim deri në 70% të vlerës dhe kësti deri në 30% të të ardhurave.
Shtrëngimi i kushteve është realizuar kryesisht përmes kërkesave më të larta për kolateral në raport me shumën e kredisë. Gjatë janar-nëntor 2025 u dhanë 590 milionë euro kredi për blerje banesash. Stoku total i këtyre kredive është 2 miliardë euro.