Kredia e re për shtëpi e mbylli tremujorin e parë të 2026 në rënie, për herë të parë që nga viti 2020, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Për periudhën janar-mars, sektori bankar akordoi gjithsej 13.5 miliardë lekë kredi të reja për shtëpi, 14.9% më pak krahasuar me tremujorin e parë të 2025. Edhe pse kredia tregoi shenja rritjeje gjatë marsit, rezultati i përgjithshëm i tremujorit u përcaktua nga rënia e ndjeshme në janar dhe shkurt.
Kjo rënie vjen pas një cikli disavjeçar rritjeje të shpejtë. Në vitin 2025, kredia për shtëpi u rrit për të shtatin vit radhazi, me 17.3% më shumë se në 2024. Fillimi i 2026-së solli ngadalësim, ndërsa vrojtimi i aktivitetit kreditues me bankat nxori në pah rënie të kërkesës së individëve për kredi në blerjen e banesave.
Bankat e kanë shpjeguar kërkesën më të ulët me vonesat në miratimin e udhëzimeve që shoqërojnë ligjin për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, si dhe me kufizimet rregullatore në fuqi që nga korriku 2025. Burime nga tregu bëjnë të ditur se disa banka janë bërë më të kujdesshme në këtë segment për shkak të shqetësimeve të lidhura me ciklin e pasurive të paluajtshme, veçanërisht në Tiranë.
Kufizimet rregullatore
Banka e Shqipërisë aplikoi kufizime për standardet e kredidhënies së re për blerjen e banesave që nga mesi i 2025-së, për të frenuar rritjen e huasë ndaj individëve. Kufizimet përfshijnë:
- Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës së pasurisë: 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë në lekë; 75% dhe 70% në valutë të huaj.
- Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave: 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë në lekë; 35% dhe 30% në valutë të huaj.