Gjatë hytbes së xhumasë, në të gjitha xhamitë e Kosovës u përcjell një mesazh për pjesëmarrje në marshin solidarizues të organizuar për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që aktualisht përballen me procese gjyqësore në Hagë. Ky vendim u ndërmor me rekomandimin e kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, i cili e cilësoi aktivitetin si një tubim qytetar për drejtësi, dinjitet dhe kujtesën kombëtare.
Në mesazhin e përcjellë për besimtarët, kërkohet unitet, qetësi dhe dinjitet gjatë pjesëmarrjes në këtë ngjarje. Në thirrjen e BIK-ut theksohet nevoja për të mos harruar sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës dhe kërkohet trajtim i drejtë për ish-krerët e UÇK-së.
Ditë më parë, Naim Tërnava pati takuar përfaqësuesit e organizatës “Liria ka emër”, të kryesuar nga Eliza Hoxha, ku edhe shprehu mbështetjen e tij për organizimin e këtij marshi. Ngjarja pritet të zhvillohet në Prishtinë më 12 shtator si një aktivitet solidarizimi për ish-pjesëtarët e UÇK-së.