Bashkimi Evropian (BE) ka nisur diskutimet për masa të reja mbrojtëse ndaj vendeve që do t’i bashkohen bllokut. Propozimet e Komisionit Evropian përfshijnë një periudhë prove deri në 15 vjet dhe mundësinë e pezullimit të të drejtave të votës në rastet e shkeljeve të rënda të vlerave themelore. Mali i Zi, që konsiderohet ndër vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit, pritet të jetë i pari që do t’u nënshtrohet rregullave të reja, të cilat mund të përfshihen në traktatin e anëtarësimit.
Ambasadorët e vendeve anëtare kanë shqyrtuar për herë të parë projektin e dispozitave ligjore. Një dokument orientues u kërkon institucioneve të përcaktojnë udhëzime për zbatimin e masave, në mënyrë që ato të jenë proporcionale, të kenë arsye të qarta aktivizimi dhe periudha të përcaktuara zbatimi. Puna për formulimin përfundimtar do të vijojë në nivel teknik, ndërsa një tjetër diskutim mes ambasadorëve pritet të mbahet në nëntor.
Sipas Euronews, vendet anëtare kanë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të funksionojnë mekanizmat. Grupi “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, ku bëjnë pjesë Italia dhe Austria, ka paralajmëruar se masa tepër të rrepta mund të pengojnë zgjerimin. Ndërkaq, Holanda dhe Franca kërkojnë garanci më të forta për respektimin e sundimit të ligjit.
Masat e propozuara
Një klauzolë institucionale do t’i mundësonte BE-së të ndërmarrë masa ndaj anëtarëve të rinj për shkelje të rënda të vlerave themelore ose të parimit të bashkëpunimit të sinqertë. Në rastet më serioze, masat mund të përfshijnë pezullimin e të drejtave të votës. Debati është përqendruar te kohëzgjatja e periudhës së provës dhe propozimi për një afat prej 15 vjetësh; shtetet anëtare nuk kanë rënë dakord nëse kjo periudhë është e përshtatshme.
Sipas projektit, shteti i prekur do të kishte të paktën dy javë për të paraqitur vërejtjet pasi të aktivizohej klauzola. Dispozita do të zbatohej pas anëtarësimit, megjithëse klauzola mund të aktivizohej në rrethana të caktuara para hyrjes zyrtare në BE. Një vendim i propozuar nga Komisioni do të miratohej brenda dy javësh, përveç rastit kur shumica e cilësuar e shteteve anëtare e refuzon ose e ndryshon.
Ambasadorët kanë kërkuar sqarime për llojet e masave dhe bashkërendimin e klauzolës me nenin 7 të Traktatit të BE-së, i cili parashikon masa në rast të shkeljeve të rënda të vlerave evropiane. Komisioni ka propozuar gjithashtu monitorim nga nënshkrimi i traktatit të anëtarësimit deri në hyrjen e vendit në BE. Ky mekanizëm do të përfshinte raporte të rregullta, vlerësime nga shtetet anëtare dhe letra paralajmëruese kur identifikohen probleme. Frekuenca dhe temat e raporteve nuk janë përcaktuar.
Komisioni propozon edhe shtyrjen e anëtarësimit kur ka prova të qarta se kandidati nuk do t’i përmbushë kriteret në kohë. Traktatet e anëtarësimit të Rumanisë dhe Bullgarisë parashikonin një mundësi të ngjashme, ku shtyrja kërkonte, si rregull, unanimitet. Për rastet e ardhshme, dokumenti sugjeron që vendimi të mund të merret me shumicë të cilësuar, bazuar në rekomandimin e Komisionit. Mënyra përfundimtare e vendimmarrjes dhe kohëzgjatja e mundshme e shtyrjes mbeten të papërcaktuara.