Çmimet e biletave të avionëve pritet të rriten në nivele rekord në muajt e ardhshëm për shkak të problemeve në furnizimin me naftë dhe gaz përmes Ngushticës së Hormuzit.
Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin e Thesarit të Parlamentit Britanik, ekspertja e tregjeve të energjisë Amrita Sen, themeluese dhe drejtoreshë e analizave në kompaninë Energy Aspects, e cilësoi situatën si "ndërprerjen më të madhe në historinë e tregut të energjisë" dhe një tronditje historike për tregun global.
Sipas saj, rritja e çmimeve nuk është ende aq e rëndë sa gjatë pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, por sektori më i goditur është karburanti për avionë. "Është vërtet çmenduri ajo që po ndodh në tregun e karburantit për avionë", tha Sen.
Ajo shpjegoi se një pjesë e madhe e prodhimit të këtij karburanti realizohet në Lindjen e Mesme dhe në Azi, ndërsa burimet alternative janë të vështira për t'u gjetur për të përmbushur kërkesën. Rreziku për transportin detar në Ngushticën e Hormuzit ka penguar kalimin normal të naftës bruto, duke ndikuar drejtpërdrejt në prodhimin e karburantit për avionë.
Si pasojë, ekspertët parashikojnë rritje të ndjeshme të çmimeve të biletave, të cilat mund të zgjasin të paktën disa muaj.