Kompania Danone ka njoftuar tërheqjen nga tregu shqiptar të serisë 10.11.25 të qumështit pluhur Aptamil 1, si masë paraprake sigurie. Në lidhje me dyshimet se një pjesë e prodhimit mund të përmbajë mikroorganizma ose baktere, megjithëse nuk ka raportime zyrtare për praninë e tyre deri tani.
Sipas njoftimit, masa zbatohet deri në përfundimin e analizave laboratorike përfundimtare. Produkti shitet në markete, farmaci dhe dyqane të specializuara, prandaj tregtarët janë ftuar të ndalojnë shitjen dhe të tërheqin sasitë nga raftet.
Rossmann Lala, një nga tregtarët, ka tërhequr të gjithë sasinë e Aptamil 1 nga rrjeti i dyqaneve të saj, jo vetëm serinë e dyshuar. Kjo kompani konfirmon se do të rimbursojë çdo produkt të blerë nga klientët e saj.
Disa burime përmendin dy seritë e prodhimit të përfshira në tërheqje, por vetëm seria 10.11.25 specifikohet qartë. Nuk dihet ende qëndrimi i subjekteve të tjera tregtare për rimbursimin.
Një ditë më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kërkuar nga njësitë tregtuese tërheqjen e këtij produkti. Konsumatorët ftohen të verifikojnë kodin e serisë dhe të mos e konsumojnë derisa të përfundojnë analizat.