Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar të premten tërheqjen nga tregu të dy produkteve të qumështit për foshnje të markës Aptamil, për shkak të dyshimeve për praninë e substancës Cereulide.
Vendimi bazohet në njoftimin e pranuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri, i cili ka marrë informacion përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), me numër referencë 2026.0663. Substanca është konstatuar në formulën e ushqimit për fëmijë me origjinë nga Gjermania.
Produktet e identifikuara janë:
• APTAMIL 1 PRONUTRA 800 gr. ADVANC, lot 172911, datë skadimi 10.11.2026;
• APTAMIL PRE PROFUTURA DUO ADVA 800 gr., numër artikulli 405663100.
Sipas autoriteteve shqiptare, subjekti Rossmann & LALA SH.P.K. në Shqipëri ka eksportuar produktin e parë drejt Rossmann Kosova. Pas inspektimit të depos së Rossmann Kosova, inspektorët e AUV-së kanë konstatuar se po tërhiqet edhe produkti i dytë.
AUV po bashkëpunon me kompaninë për grumbullimin, bllokimin dhe asgjësimin e produkteve, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Agjencia u bën thirrje qytetarëve që posedojnë këto produkte të mos i përdorin dhe t’i kthejnë në pikat e shitjes.