Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) bën të ditur se, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar njoftime lidhur me praninë e toksinës Cereulide në produkte qumësht formulë për foshnje të markës APTAMIL, të prodhuara në Gjermani, Holandë dhe Irlandë.
Njoftimet specifike të RASFF përfshijnë:
- 2026.0663: Prania e toksinës Cereulide në formulën për foshnje të prodhuar në Gjermani.
- 2026.1018: Prania e toksinës Cereulide në produktet e prodhuara në Holandë.
- 2026.1017: Prania e toksinës Cereulide në formulat për foshnje dhe për qëllime mjekësore të prodhuara në Irlandë.
Për shkak të nivelit të rrezikut të konsideruar serioz, AUV po bashkëpunon me kompaninë importuese UNION sh.p.k., Vushtrri, për tërheqjen e menjëhershme të këtyre produkteve nga tregu.
Produktet e prekura, sipas listës së publikuar, përfshijnë:
- APTAMIL 3 6x800G CR/SL, APTAMIL 2 6x800G CR/SL dhe APTAMIL 1 6x800G CR/SL, prodhim Irlandë.
- APTAMIL AR2 ENG 24x400G, prodhim Holandë.
- APTAMIL Pronutra Pre 800g dhe Pre 1.2 kg, prodhim Gjermani.
AUV u bën thirrje bizneseve të ndërpresin menjëherë shitjen e këtyre produkteve. Konsumatorët që i posedojnë ato nuk duhet t'i përdorin dhe t'i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes.
Agjencia thekson përkushtimin për monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe zbatimin e masave parandaluese për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Republikën e Kosovës.