Më 18 tetor, autoritetet doganore sekuestruan 660 kilogramë mallra të padeklaruara, kryesisht artikuj veshmbathjeje me etiketa të markave të njohura, gjatë kontrollit të një mjeti transporti me ngarkesë grupazhi të ardhur nga Turqia. Operacioni u krye nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, nëpërmjet Sektorit të Monitorimit dhe strukturave të Mbrojtjes së të Drejtave të Pronësisë Intelektuale (IPR), në bashkëpunim me Degën Doganore Tiranë.
Sipas njoftimit të Doganës, mjeti u përzgjodh për kontroll mbi bazën e analizës së riskut lokal dhe informacionit të siguruar nga strukturat përkatëse. Kontrolli fizik zbuloi mallrat e padeklaruara, mes tyre veshje me etiketa të markave BOSS, Moncler, Loro Piana dhe Polo Ralph Lauren.
Pas konstatimit të shkeljes, autoritetet sekuestruan mallrat dhe vendosën një sanksion administrativ me penalitet në masën gjashtëfish të detyrimit doganor të papaguar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tha se kontrollet synojnë parandalimin dhe goditjen e kontrabandës, shmangien e detyrimeve doganore dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Sipas njoftimit, administrata doganore synon gjithashtu forcimin e kontrolleve dhe zbatimin e detyrimeve ligjore, mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.