Autoritetet doganore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë parandaluar një tentativë për kontrabandim të mallrave të padeklaruara në Portin e Durrësit. Gjatë kontrollit të një automjeti, janë gjetur dhe sekuestruar 2 ora dore me mbishkrimin Rolex, si dhe 351 cigare puro të markave të ndryshme, të cilat ishin të paketuara në 36 kuti.
Sipas njoftimit zyrtar, mallrat nuk ishin deklaruar sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin doganor. Strukturat përkatëse po punojnë për dokumentimin e plotë të rastit, duke përfshirë verifikimin e origjinës së produkteve të sekuestruara. Ndaj personit që drejtonte mjetin ku u gjetën sendet e padeklaruara, do të ndiqen procedurat ligjore të parashikuara për shkelje të tilla në kufi.
Ky operacion është pjesë e kontrolleve të vazhdueshme që kryhen nga Dogana Shqiptare dhe Policia Kufitare për evidentimin e rasteve të mosdeklarimit të mallrave dhe zbatimin e rregullave në pikat hyrëse të vendit.