Ekspozita “Sy më sy | Eye to Eye” është inauguruar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt. Ky projekt artistik dhe dokumentar sjell portrete, skanime të irisit dhe dëshmi personale të personave që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe të familjarëve të tyre.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë fjalës së saj vlerësoi punën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe organizatës Pro Peace Kosovo. Ajo theksoi se rrëfimet e paraqitura në ekspozitë dëshmojnë se dhimbja nuk ka qenë e kufizuar vetëm në periudhën e luftës, por është thelluar edhe në vitet e pasluftës për shkak të heshtjes, gjykimit shoqëror dhe stigmës.
“Një shoqëri që kërkon drejtësi për personat e dhunuar gjatë luftës, duhet së pari të mësojë t’i shohë me respekt dhe mirënjohje për forcën me të cilën kanë vazhduar jetën”, deklaroi Haxhiu.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, shpjegoi se koncepti i ekspozitës është ndërtuar për të vënë publikun përballë së vërtetës. Sipas saj, përdorimi i skanimeve të irisit shërben si një gjurmë identifikuese, duke u dhënë zë atyre që për dekada me radhë kanë mbajtur peshën e traumës në heshtje. Ekspozita synon të shërbejë si një thirrje për njohjen e vuajtjeve dhe përkrahjen institucionale e shoqërore ndaj të mbijetuarve.
Përditësime
Ekspozita "Sy më sy", e cila dokumenton dhunën seksuale gjatë luftës, është hapur në objektin e Komunës së Prishtinës. Me mbështetjen financiare të Ambasadës së Britanisë dhe Ambasadës së Gjermanisë, ekspozita sjell rrëfimin personal të Vanesa Sylejmanit, vajzës së një të mbijetuare. Nëpërmjet simbolikës së bebëzave të syve, prezantimi reflekton dhimbjen, forcën dhe humbjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.