Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, mori pjesë në konferencën "Së bashku për njohje dhe mbështetje", të organizuar nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës dhe Agjencia për Barazi Gjinore, me mbështetjen e UN Women. Konferenca u zhvillua në shënim të 19 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale si Armë Lufte.
Gërvalla theksoi se kjo ditë shërben për të nderuar të gjithë ata që përjetuan dhunën gjatë luftës dhe për të riafirmuar përkushtimin institucional për drejtësi. Ajo deklaroi se dhuna seksuale nuk ishte një rastësi e konfliktit, por një mjet i planifikuar për të frikësuar dhe poshtëruar popullatën.
"Dhuna seksuale u përdor si armë lufte për të lënë plagë të thella, të cilat vazhdojnë të ndihen edhe sot", u shpreh ajo. Ministrja vlerësoi guximin e të mbijetuarve për ta thyer heshtjen shumëvjeçare dhe për të dëshmuar mbi krimet e përjetuara. Po ashtu, ajo shprehu mirënjohje për shoqërinë civile dhe aktivistët, duke veçuar kontributin e ish-presidentes Atifete Jahjaga në sensibilizimin publik.
Lidhur me ndjekjen penale, Gërvalla bëri të ditur se institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë hapa konkretë, si forcimi i kapaciteteve hetimore, krijimi i mekanizmave për njohjen e statusit të të mbijetuarve dhe mundësimi i gjykimit në mungesë. Sipas saj, mungesa e bashkëpunimit nga ana e Serbisë nuk duhet të shërbejë si pengesë e përhershme për zbardhjen e së vërtetës.