Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Durrësit zhvilluan operacionin e koduar Fati i lojërave, me qëllim goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Kontrollet e ushtruara në disa ambiente çuan në zbulimin e një lokali të përshtatur për këtë qëllim në lagjen nr. 14 të qytetit.
Në pranga ra shtetasi F. T., 35 vjeç, banues në Durrës, i cili akuzohet për organizimin e aktivitetit të paligjshëm. Sipas hetimeve, ai kishte marrë ambientin me qira pa kontratë dhe e kishte pajisur atë me tavolina pokeri dhe aparate celularë, ku u konstatuan faqe të ngjashme me bastet sportive. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tavolina pokeri, çipsa dhe 15 celularë.
Në vijim të veprimeve procedurale, u procedua penalisht edhe pronari i lokalit, shtetasi M. M., 24 vjeç, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokalit për zhvillim të paligjshëm të lojërave të fatit”. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.