Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar ndaj shqetësimeve të banorëve të Prevallës dhe fshatrave përreth lidhur me vendosjen e një laure në rrugën hyrëse për në këtë zonë turistike.
Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, Pacolli ka theksuar se çështja e menaxhimit të qarkullimit do të trajtohet ekskluzivisht përmes dialogut. "Asnjë vendim nuk do të merret pa konsultim me banorët dhe palët e interesit", ka deklaruar ministrja, duke ftuar qytetarët të mos organizojnë protesta, pasi zgjidhja më e përshtatshme do të kërkohet bashkërisht.
Aktualisht, Pacolli ndodhet në Arabinë Saudite, ku është duke përfaqësuar Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Ujit. Pas kthimit të saj, ajo ka konfirmuar mbajtjen e një takimi të drejtpërdrejtë me banorët gjatë javës së ardhshme, për të dëgjuar propozimet dhe shqetësimet e tyre në lidhje me rampën në fjalë.