Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka zbardhur vendimin e marrë në lidhje me kërkesën e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës, për shfuqizimin e vendimeve që zgjateshin masën e arrestit shtëpiak.
Çështja u shqyrtua në seancë plenare më 17 dhjetor 2025 mbi bazë të dokumenteve. Gjykata u mblodh më 15 janar 2026 dhe pranoi pjesërisht kërkesën, duke vlerësuar se vendimet e marra nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (nr. 400, datë 30.07.2024), Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (nr. 172 (87-2024-248), datë 13.09.2024) dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (nr. 00-2024-2076, datë 17.12.2024) bien ndesh me Kushtetutën.
Në vitin 2023, ndaj Berishës u vendosën masa më të lehta si "Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore" dhe "Ndalimi i daljes jashtë shtetit", pasi gjykatat pranuan rrezikun për provën dhe ikjen. Me vendimin nr. 81, datë 21.11.2024, Kushtetuesja shfuqizoi pjesërisht ato masa, veçanërisht ndalimin e daljes jashtë shtetit, për mungesë arsyetimi.
Për mosrespektimin e detyrimit për t’u paraqitur, gjykatat e ulëta vendosën më 30 dhjetor 2023 masën e arrestit shtëpiak. Kushtetuesja vlerësoi se vijimi i kësaj mase ishte i papajtueshëm me Kushtetutën, pasi gjykatat kishin pranuar shkaqet e rrezikut, por vendimet për zgjatjen ishin të pabazuar.
Në raportimet dy mujore, avokatët e Berishës kundërshtuan propozimin e SPAK-ut për vazhdimin e masës, e cila u zëvendësua me detyrim paraqitjeje në janar 2025. Vendimi konfirmon se kohëzgjatja e arrestit shtëpiak ishte e panevojshme sipas standardeve kushtetuese.