Gjykata Supreme e Kosovës refuzoi si të pabazuar ankesën e subjektit politik Alternativa kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Alternativa, e drejtuar nga Mimoza Kusari-Lila, kontestoi vendimin për caktimin e mjeteve nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Ky subjekt politik kundërshtoi përjashtimin e tij nga ndarja e këtyre mjeteve.
Gjykata Supreme konstaton se PZAP veproi drejt duke hedhur poshtë ankesën si të palejuar. Sipas Ligjit nr. 08/L-228 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, PZAP shqyrton vetëm ankesat ndaj vendimeve të KQZ-së të përcaktuara shprehimisht me ligj. Vendimet për ndarjen e mjeteve nga fondi nuk përfshihen në këto kategori.
Gjykata vlerëson se as Ligji për Financimin e Subjekteve Politike nuk parashikon të drejtën e ankesës ndaj vendimeve të KQZ-së për ndarjen e fondeve, përveç rasteve që lidhen me dispozitat ndëshkimore.
Edhe pse ankesa në PZAP nuk është e lejueshme për këtë kategori vendimesh, subjekti politik ka mundësi të kërkojë mbrojtje juridike përmes procedurave të tjera gjyqësore të parashikuara me ligj, përfshirë kontrollin gjyqësor të akteve përfundimtare të organeve publike.
Përditësime
Mimoza Kusari-Lila, udhëheqëse e Alternativës, shprehu shqetësim në Facebook për cenimin e pluralizmit dhe të drejtës për shqyrtim juridik efektiv.
Ajo theksoi se Alternativa, partner i koalicionit me LVV, Lista Guxo dhe PSHDK, fitoi një ulëse të certifikuar, por KQZ refuzoi financimin pasi deputetja u emërua ministre.
Sipas saj, arsyetimi i KQZ-së krijon një precedent të ri të pabazuar në ligj dhe cenon barazinë mes subjekteve politike.