Gjykata Supreme e Kosovës ka dhënë sqarime në lidhje me aktgjykimin P.A.nr.16/2025, i cili shpall të paligjshëm dhe shfuqizon disa nene të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 të MPMS.
Ky aktgjykim ka shfuqizuar nenin 4, paragrafi 2, si dhe nenin 5, paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të udhëzimit. Këto nene rregullojnë procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve.
Vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë efekt të plotë juridik. Lidhja zyrtare: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=114780.
Gjykata Supreme njofton se ka kryer plotësisht veprimet e nevojshme brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore. Ajo nuk ka kompetencë për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve nga institucionet e tjera.
Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim, ndërsa çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit. Aktgjykimi dhe njoftimi janë publikuar edhe në faqen zyrtare të Gjykatës Supreme.