Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, është paraqitur të mërkurën në zyrat e Prokurorisë Speciale për t'u marrë në pyetje lidhur me procesin e shpronësimeve në fshatin Shipitullë. Pas përfundimit të intervistimit, Thaçi konfirmoi për mediet se është ftuar në cilësinë e dëshmitarit.
Sipas Thaçit, përfshirja e emrit të tij në këtë çështje është një temë e përgatitur prej kohësh nga rivalët e tij politikë. Megjithatë, ai shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë, duke deklaruar se nuk ndjehet i shantazhuar dhe duke kërkuar nga Prokuroria Speciale zbardhjen e plotë të çështjes.
“Jam shumë i kënaqur që prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe i bëj thirrje që ta hetojë deri në fund. Unë i kam bërë thirrje edhe nga Kuvendi që të hetohet çdo keqpërdorim i mundshëm në ato pjesë”, tha Thaçi.
Kryetari i Obiliqit, i cili është ish-deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, theksoi gjithashtu se do të vazhdojë të angazhohet për të trajtuar problemet e qytetarëve. Ai vlerësoi se banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hadë janë të diskriminuar dhe të anashkaluar, duke shtuar se gjendja për jetesë në ato pjesë është bërë e pamundur.
Përditësime
Prokuroria Speciale konfirmoi se Halil Thaçi është intervistuar në cilësinë e të pandehurit. Prokuroria zyrtarizoi dyshimet për veprën penale 'Ushtrim ndikimi'. Halil Thaçi pretendoi se ka qenë viktimë e shantazhit nga një medium gjatë tre muajve të fundit. Autoritetet po zhvillojnë procedura shtesë ligjore për veprën penale të pengimit në administrimin e drejtësisë.