Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) ka hapur zyrtarisht garën për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të 9 shërbimeve kryesore. Komisioni i Posaçëm për përzgjedhjen e drejtuesve të shërbimeve universitare shëndetësore ka shpallur konkurrimin për disa nga repartet më të rëndësishme të spitalit.
Shpallja zyrtare është publikuar në faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Shërbimet e përfshira
Konkurrimi mbulon këto shërbime:
- Anestezi–Reanimacioni
- Toksikologjia Klinike
- Neurologjia
- Onkohematologjia Pediatrike
- Nefrologjia dhe Dializa Pediatrike
- Onkologjia
- Reumatologjia
- Alergologjia
- Dermatologjia
Kriteret e kualifikimit
Kandidatët duhet të plotësojnë këto kushte:
- Të jenë mjekë specialistë të shërbimit përkatës.
- Të kenë titull akademik Profesor, Profesor i Asociuar ose Doktoraturë.
- Të posedojnë përvojë akademike minimale 5 vite dhe përvojë klinike jo më pak se 10 vite në specialitetin përkatës.
- Të jenë pedagogë me kohë të plotë.
- Të mos kenë dënime penale apo masa disiplinore në fuqi.
- Të paraqesin një platformë strategjike katërvjeçare për zhvillimin e shërbimit universitar.
Aplikimet dorëzohen nga data 10 deri më 25 shkurt pranë Zyrës së Burimeve Njerëzore të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë. Lista e kandidatëve të kualifikuar do të publikohet pas shqyrtimit të dokumentacionit në faqet zyrtare të institucioneve përkatëse.