Nasim Haradinaj, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), vizitoi javën e kaluar në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.
Vizita u lejua pas dy vjetësh pritjeje, sipas deklaratave të Haradinajt në emisionin “Kosova Today” të Klan Kosovas. Ai shprehu bindjen se kjo është vizita e fundit para se ish-krerët e UÇK-së të lirohen.
“Besoj që është vizita e fundit para se ata të dalin, sepse besoj që do të vijnë”, tha Haradinaji. Ai theksoi se Thaçin dhe Veselin i gjeti të relaksuar dhe me besim të plotë se drejtësia do të triumfojë.
Haradinaji, vetë ish-i burgosur në Hagë, shtoi se nëse çlirimtarët dënohen nga Gjykata Speciale, dënohet lufta çlirimtare e Kosovës, jo vetëm individët.