Autoritetet policore në ishullin e Rodosit kanë nisur procedimet penale ndaj një 28-vjeçari me origjinë shqiptare, pas kallëzimit të bërë nga një 44-vjeçare me shtetësi polake. Çështja po ndiqet nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në këtë qytet.
Sipas dëshmisë së viktimës, i riu e kishte bindur atë përmes informacioneve të rreme të kryente transferta të ndryshme parash në disa këste. Shuma totale e pretenduar nga gruaja arrin në 15,417 euro. Kur ajo kuptoi se të dhënat e paraqitura nga 28-vjeçari nuk përputheshin me realitetin dhe kërkoi kthimin e fondeve, situata u përshkallëzua.
Gruaja pretendon se 28-vjeçari e kërcënoi se do të publikonte foto nudo të sajat, duke ua dërguar ato familjarëve ose fëmijëve të saj, nëse ajo vazhdonte t'i kërkonte paratë mbrapsht. Për shkak të këtyre kërcënimeve, ajo vendosi t'i drejtohej policisë. Aktualisht, hetuesit po verifikojnë mënyrën e kryerjes së pagesave dhe vërtetësinë e kërcënimeve për posedimin e materialeve intime, ndërsa i riu përballet me akuza për mashtrim, kërcënim dhe pornografi për hakmarrje.