Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në kuadër të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit veror dhe monitorimit të ndotjes akustike, kanë zhvilluar kontrolle në subjekte të ndryshme në zonat e Potamit dhe Dhërmiut.
Gjatë verifikimeve, autoritetet konstatuan se në një beach bar në Potam vazhdonte të luhej muzikë në orën 00:30, duke tejkaluar orarin e lejuar. Në zbatim të ligjit “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, pronari i subjektit, shtetasi S. R., 37 vjeç, u ndëshkua me masë administrative prej 200 000 lekësh.
Në vijim të veprimeve procedurale, Policia njoftoi se pronari i subjektit, muzikanti i lokalit dhe katër klientë janë proceduar penalisht. Sipas njoftimit zyrtar, ata kanë prishur qetësinë publike dhe nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndërprerë aktivitetin muzikor. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Policia e Shtetit ka apeluar sërish drejt pronarëve dhe administratorëve të lokaleve që të respektojnë kriteret ligjore për nivelin e zhurmës dhe orarin e zhvillimit të aktiviteteve. Autoritetet konfirmojnë se kontrollet dhe matjet në subjektet që zhvillojnë aktivitete muzikore do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit turistik në të gjithë vijën bregdetare.