Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së grupeve më të ndjeshme dhe identifikimit të shenjave paralajmëruese të rrezikut nga vapa.
Sipas njoftimit të autoriteteve shëndetësore, një nga masat kryesore është kujdesi për të moshuarit, veçanërisht për ata që jetojnë të izoluar ose të vetmuar. IKShPK rekomandon kontaktimin e tyre të paktën një herë në ditë, për t’u siguruar se ata gëzojnë shëndet të mirë dhe nuk kanë nevojë për ndihmë.
Instituti ka tërhequr vëmendjen edhe për sigurinë e fëmijëve, duke rikujtuar se ata nuk duhet të lihen asnjëherë vetëm në një veturë të parkuar. Sipas ekspertëve shëndetësorë, temperaturat brenda automjeteve mund të rriten në mënyrë të shpejtë, duke krijuar rreziqe serioze për jetën.
Qytetarët janë udhëzuar gjithashtu të jenë vigjilentë ndaj simptomave të goditjes nga nxehtësia, të cilat përfshijnë:
• marramendje;
• të përziera;
• konfuzion;
• djersitje të tepërt.
Në rast të shfaqjes së këtyre simptomave, IKShPK thekson se është e domosdoshme kërkimi i menjëhershëm i ndihmës mjekësore. Për më tepër, këshillohet shmangia e ekspozimit në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe konsumimi i shtuar i lëngjeve për të gjithë qytetarët, e në veçanti për ata që vuajnë nga sëmundje kronike.