Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka sqaruar procedurën për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme të individëve përmes platformës e-Albania. Ditën e djeshme, në Fletoren Zyrtare u publikua udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së ASHK-së, që hap rrugën këtij procesi me tatim 5% në vend të 15% aktual.
Ky udhëzim përcakton dy mënyra rivlerësimi:
- Pranë ASHK-së, me çmimet minimale fiskale në fuqi;
- Nga ekspert i licencuar.
Hapat e aplikimit në e-Albania
- Identifikohuni në platformë;
- Zgjidhni shërbimin “Rivlerësimi i Pasurisë” dhe klikoni “Përfaqësuesi është i njëjtë me aplikantin”;
- Zgjidhni pasurinë për rivlerësim; automatikisht shtohet shërbimi “Lëshim kopje kartele të pasurisë së paluajtshme”;
- Ngarkoni dokumentin e pronësisë ose aktin e ekspertimit dhe licensën e ekspertit në format PDF, nëse rivlerësimi është bërë me ekspert të licencuar;
- Reflektohet tarifa minimale; klikoni “Dërgo”.
Tarifat e shërbimit
Tarifa e shfaqur fillimisht nuk është fikse, por përllogaritet sipas shumës së tatimit rezultues:
- Deri në 150.000 lekë tatim → 3.500 lekë;
- Nga 150.001 deri në 300.000 lekë tatim → 7.000 lekë;
- Mbi 300.001 lekë tatim → 10.000 lekë.
Pas përllogaritjes ose verifikimit të rivlerësimit nga eksperti, tarifa e saktë përfshihet në faturën e dërguar në e-Albania.