Për herë të parë në historinë e Qendrës për Studime Universitare (QSU), një kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka nisur studimet semestrale në Universitetin Norwich në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me bursë studimi. Lajmi është bërë i ditur nga FSK-ja, e cila e ka vlerësuar këtë arritje si një hap të rëndësishëm për avancimin e edukimit ushtarak dhe akademik.
Sipas njoftimit zyrtar, suksesi i kadetit dëshmon se studentët e QSU-së kanë arritur një nivel akademik, profesional dhe ushtarak që u mundëson të jenë të barabartë dhe konkurrues me bashkëmoshatarët e tyre nga akademitë dhe universitetet prestigjioze në botë. Kjo përvojë cilësohet si një investim në gjeneratën e ardhshme të oficerëve dhe dëshmi e potencialit për përfaqësimin e denjë të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Në njoftimin e saj, FSK-ja ka vlerësuar gjithashtu vizionin e Komandantit të FSK-së, gjeneral Bashkim Jashari, dhe Komandantit të QSU-së, major Budeci, për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në zhvillimin e shkollimit ushtarak dhe profesional të kadetëve.